Arrestimi i Metës, reagon ministri i Brendshëm: Fjalor ekstrem! Ja pse u përdor forca...

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha ka reaguar për arrestimin e Ilir Metës i cili nuk iu bind forcave operacionale por përkundrazi i ofendoi dhe refuzoi të zbatonte vendimin e Gjykatës së Posaçme. 

Hoxha shprehet se fjalori i përdorur nga Ilir Meta ka qenë ekstrem në momentin kur u ekzekutua urdhri i SPAK-ut. 

"Fjalori ka qenë ekstrem për mënyrën sesi u ekzekutua urdhri i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, ndaj shtetasit në fjalë. Janë përdorur etiketime të rënda ndaj Policisë dhe janë akuzuar efektivët e saj për faje, që nuk i kanë bërë, dhe reagimi ndaj rezistencës me forcë të personit, që kishin detyrë të ndalonin është nxjerrë jashtë kontekstit të ngjarjes. Janë hedhur edhe variante alternative për mënyrën se si duhej kryer, ku duhej kryer, e kur duhej kryer ndalimi i shtetasit Ilir Meta, për shkak të asaj çka ai ka përfaqësuar në dekadat e jetës politike shqiptare. Forcat operacionale fatkeqësisht u përballën me një subjekt, që kundërshtoi forcërisht t’i nënshtrohej vendimit të Gjykatës, sapo mori dijeni për të. Kjo është zanafilla e ngjarjes dhe nga këtu fillon arsyetimi sipas protokollit, që Policia e Shtetit ndjek në ekzekutimin e një vendimi ndalimi. Me këtë fakt lidhet edhe e gjithë shija, sigurisht jo e mirë e skenës që u krijua”, shkruan ndër të tjera Hoxha. 

Sipas ministrit Hoxha, "nëse shtetasi Ilir Meta nuk do ta kishte kundërshtuar ekzekutimin e vendimit, dinamika e ngjarjes nuk do të kishte prodhuar asgjë tjetër, përveçse kalimin e qetë të tij, nga automjeti privat në automjetin e shoqërimit në Polici”.