"Shpjetësia e lejuar do jetë 120 km/orë", gati të ndërtohet autostrada e re...

Segmenti rrugor Balldren – Murriqan, pjesë e korridorit Adriatiko – Jonian apo siç njihet ndryshe "korridori blu" do të ketë një gjatësi prej rreth 40 km dhe do të lejojë një shpejtësi lëvizjeje prej 120 km/orë. 

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të nisë konsultimet për gjurmën e projektit në 3 bashkitë që prek projekti e më konkretisht: Shkodër, Lezhë dhe Vau i Dejës. 

Për hartimin e projektit janë mbajtur në konsideratë 2 alternativa, ku njëra prej tyre është gjurmë tërësisht e re, me gjatësi 27.5 km, ku supozohej të ndërtohej një pikë e re kufitare me Malin e Zi dhe një urë e re mbi lumin Buna. Por, sipas studimit kjo alternativë ka kosto të lartë, duke bërë të pëlqyeshme alternativën e dytë, me gjatësi prej 40 km. 

Ajo parashikon ndërtimin e një segmenti të ri prej rreth 13 km, si dhe zgjerimin e rrugës ekzistuese prej rreth 25.8 km. Ndërtimi i segmentit të ri propozohet për të shmangur interferencën me rrjetin ekzistues të Rrugës Kombëtare, e cila i shërben trafikut të zonës (trafiku lokal dhe i përgjithshëm). Në autostradën e re parashikohen 4 kalime në disnivel, përkatësisht në Murriqan, Velijpojë, në Vaun e Dejës dhe një në veri të Lezhës.