Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj ka përjetuar disa momente paniku kur makina e tij “Ferrari” është shkrumbuar nga flakët.
"Corriere dello Sport" raporton se Hysaj mbeti i bllokuar në makinën me vlerë 160 mijë euro kur ajo mori flakë. Hysaj po udhëtonte me vjehrrin e tij, teksa ishte vetë në timonin e Ferrarit të tij të fundit, të blerë së fundmi për 160 mijë euro. Makina mori flakë krejt papritur, ndërsa dyert u bllokuan dhe mbrojtësi kuqezi së bashku me vjehrrin e patën të vështirë të dilnin.
Hysaj, në një prononcim të shkurtër bëri të ditur se zjarri mund të ishte shkaktuar nga një defekt i fabrikës në momentin e prodhimit.
"Makina mori flakë në mënyrë të papritur, për fat të mirë askush nuk u lëndua. Ia dolëm që t’i shpëtonim në kohë rrezikut, besoj se bëhet fjalë për një problem të fabrikës”, u shpreh Hysaj.