Tirana ka online të dhënat e kombinuara të transportit publik në Google Maps të cilat gjenerojnë sipas kërkesës së gjithësecilit cilat linja do të përdorë në funksion të destinacionit.
Kjo pritet që t’iu vijnë në ndihmë kryesisht turistëve por jo vetëm, duke shmangur kështu amullinë që shkaktonte mungesa e këtyre të dhënave online.
Konkretisht sot nëse dikush ndodhet tek Komuna e Parisit dhe kërkon të shkojë në zonën e Freskut sistemi i Google Maps i tregon disa alternativa.
E para të udhëzon që të drejtohesh në këmbë deri tek shkolla “Petro Nini” dhe më pas të marrësh linjën 2, që kalon në disa stacione si Libri Univristar, Rektorati, Piramida dhe zbritja tek 9-katëshet. Nga këtu të udhëzon të ecësh për 2 minuta, për të shkuar tek Biblioteka, ku duhet të marrësh linjën 11 apo Kinostudion dhe të përshkosh disa stacione që nisin nga Pazari i Ri dhe mbyllet me stacionin e fundit tek kabinat elektrike. Nëse ecën për 1 minutë harta e Google Maps të sqaron se gjendesh në lagjen e Freskut.
Sipas shpjegimit të aplikacionit në Google Transit, përdoruesit mund të shikojnë opsionet e transportit publik brenda Google Maps, duke i ndihmuar ata të planifikojnë rrugët më të mira për të arritur atje ku po shkojnë.