Burgu i Rrogozhinës drejt mbylljes/ Zyrtari: Ja çfarë do të ndodhë me të burgosurit

Arben Çuko, Këshilltar në Ministrinë e Drejtësisë foli për efektet e "Amnistisë Penale", ku gjatë ditës së djeshme janë liruar 780 të burgosur. 

Çuko tha se lirimi i të burgosurve do të vijojë, ndërsa tha se amnistia sjell një situatë pozitive për burgjet të cilët janë të mbipopulluar. Ai deklaroi se burgu i Rrogozhinës është drejt mbylljes, pasi nuk i plotëson kushtet.

"Efektet e amnistisë janë në dy drejtime kryesore. E para janë efektet shoqërore që ndjekin amnistinë për vetë të dënuarit, të cilët lirohen ose u ulet dënimi, për familjen e tyre, për shoqërinë. E dyta dhe sistemi i burgjeve në vendin tonë, lehtësohet, sepse është një masë goxha e madhe. Burgu i Rrogozhinës nuk është i destinuar si burg, ka qenë dikur depo pambuku, në diktaturë është përshtatur si burg. Kështu që nuk i plotëson standardet. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Ministri i Drejtësisë kanë miratuar planin 10-vjeçar të zhvillimit të sistemit të burgjeve, ku ndër të tjera planifikohet edhe mbyllja e këtyre burgjeve që nuk plotësojnë standardet. Ndërkohë janë mbyllur 4 burgje, por kjo do vazhdojë”, tha Arben Çuko.