“Rritje, njësoj si paga mesatare”/ Skema e re e pensioneve, çfarë do ndryshojë...

Qeveria shqiptare, Banka Botërore dhe grupet e interesit janë duke diskutuar ndryshime në reformën e pensioneve, të cilat do të jenë gati deri në fund të vitit. 

Burimet nga entet që po punojnë për reformat pohuan se ndryshimet që po diskutohen përfshijnë uljen e viteve me kontribute për pension të plotë dhe pension minimal, uljen e masës së kontributit, ndryshimin e indeksimit duke favorizuar pensionet e ulëta, etj. 

Në diskutim është edhe forma e indeksimit të pensioneve, ku një alternativë mund të jetë edhe rritja në të njëjtën përqindje e pensioneve si paga mesatare. 

Reforma synon të forcojë elemente të tjera të ndihmës ekonomike për pensionistët që përmbushin kushtet për pension. Në diskutim është rritja e pensionit social me shkallën e varfërisë relative. 

Skema e pensioneve rurale gjithashtu është pjesë e rishikimit si në drejtim të kontributeve dhe përfitimeve, pasi pjesa më e madhe e pensionistëve të varfër janë aktualisht në zonat rurale.